Faza e parë e përparimit njerëzor

Ka shumë filozofi që synojnë të dëmtojnë mendjen njerëzore, duke i bërë njerëzit të dhunshëm, të pavëmendshëm dhe të paaftë për të menduar në mënyrë të drejtë. Ato i bëjnë njerëzit të besojnë se janë fëmijët e preferuar të Zotit, ndërsa pjesa tjetër e njerëzimit është e mallkuar. Megjithëse këto pikëpamje mund të kenë një mbështetje filozofike, ato nuk gëzojnë miratimin e Átman-it, pra të Shpirtit.


Ekziston vetëm një rast në të cilin Zoti, e miraton mendimin njerëzor.


Cili është ky miratim?


Ai ndodh pikërisht atëherë kur mendja njerëzore i përkushtohet mirëqenies së mbarë njerëzimit, pa asnjë lloj diskriminimi, dhe kur qëllimi i vetëm është promovimi i mirëqenies universale.


Kur mendja njerëzore, e frymëzuar nga ndjenja të tilla, angazhohet në veprim përmes trupit, vetëm atëherë ky veprim mund të konsiderohet si Yatamána e vërtetë. Përpjekjet e tjera nuk duhet të përkufizohen si të tilla.


Ndonjëherë ndodh që trupi të veprojë edhe pa miratimin paraprak të mendjes. Për shembull, një person mund të veprojë nga frika e një grabitësi. Njerëzit nuk veprojnë gjithmonë me vullnetin e tyre të lirë; ndonjëherë veprojnë nga frika, ashtu si skllevërit në kohët e lashta.


Një skllav mund të punonte shumë vetëm sepse kështu e urdhëronte zotëria i tij ose i saj. Veprime të tilla kufizohen vetëm në sferën fizike. Pa dyshim, janë veprime, por nuk kanë mbështetjen e mendjes dhe, natyrisht, as miratimin e Átman-it apo të Zotit.


Vepra të tilla nuk i sjellin asnjë mirëqenie të vërtetë njeriut dhe, për këtë arsye, nuk mund të klasifikohen si Yatamána. Kështu, sipas spiritualitetit të vërtetë, qeniet njerëzore nuk duhet të reduktohen në skllavëri.


Dikush mund të thotë se skllavëria është zhdukur plotësisht nga bota e sotme. Ndoshta kjo është e vërtetë në teori, por një pakicë njerëzish, të cilëve nuk mund t'u jepet një emër më i përshtatshëm sesa «demonë intelektualë», i kanë skllavëruar të tjerët duke përhapur filozofi të gabuara, të mbushura me të meta.


Në njëfarë mënyre, këta njerëz të shfrytëzuar nuk janë më të lirë se skllevërit, sepse kanë humbur aftësinë për të përdorur intelektin e tyre. Edhe kur dikush përpiqet t'i ndriçojë përmes argumenteve logjike, ata refuzojnë të dëgjojnë.


A janë vallë më të mirë se skllevërit? 

Nga pikëpamja intelektuale, ata janë padyshim skllevër dhe, për këtë arsye, mbeten skllevër edhe në botën materiale.


Kështu, asnjë veprim i ndërmarrë prej tyre nuk mund të përfshihet në kategorinë e Yatamána-s, sepse ai nuk do të çojë kurrë drejt mirëqenies së plotë. Faza e parë e përparimit njerëzor, Yatamána, nuk mund të nxitet nga veprimtari të tilla.


Çfarë duhet bërë për të sjellë përparim në fazën e Yatamána-s?


Duhet të mësojmë filozofinë e duhur nga një person kompetent.


Për të dalluar një filozofi të drejtë nga një pseudo-filozofi, duhet të shohim deri në çfarë mase ajo e trajton të gjithë njerëzimin si një tërësi të vetme dhe promovon unitetin e tij.


Vetëm ajo filozofi që mëson dhe rrënjos ndjenjat universale është e pranueshme për qeniet njerëzore, sepse vetëm ajo pasqyron frymën e Yatamána-s.


Filozofitë e tjera do të shkatërrojnë thesaret më të çmuara të njerëzimit, duke i keq edukuar njerëzit dhe duke i degjeneruar në nivelin e kafshëve, madje edhe më poshtë, pavarësisht se janë të pajisur me sy, këmbë, duar dhe aftësi të tjera njerëzore.


Kafshët grinden mes tyre ose me të tjerat për të siguruar ushqimin e nevojshëm për mbijetesë. Por këta njerëz të pagdhendur, ndonëse nuk kanë nevojë të luftojnë për ushqimin e tyre të përditshëm, keqpërdorin autoritetin që zotërojnë për të shkatërruar ose nënshtruar qeniet njerëzore të pafajshme.


Njerëzit e sotëm duhet ta kuptojnë këtë të vërtetë themelore dhe të qëndrojnë gjithmonë vigjilentë ndaj veprimeve të dëmshme të demonëve intelektualë dhe shfrytëzuesve gjakpirës.


Njerëzimi duhet të ecë përpara duke luftuar kundër dy armiqve: gjakpirësve që shfrytëzojnë njerëzit në sferën ekonomike dhe demonëve intelektualë, të cilët jo vetëm i shfrytëzojnë qeniet njerëzore, por edhe i zbresin ato në nivelin e kafshëve.


I bëj thirrje njerëzimit të sotëm që ta vazhdojë këtë luftë pa kompromis në të dyja këto fronte.


Duhet të kujtojmë se në të dyja rastet po luftojmë kundër armiqve, të cilët, të udhëhequr nga dogmat, nuk përdorin logjikën në metodat e tyre të shfrytëzimit.


Edhe pse këta njerëz i shfrytëzojnë të tjerët në sferat socio-ekonomike, socio-intelektuale dhe shpirtërore, sapo vetedija  njerëzore të zgjohet dhe të ngrihet kundër dogmave, shfrytëzimi i tyre do të marrë fund vetvetiu.


Demonët gjigantë të shfrytëzimit do të zhduken menjëherë.


Burimi: Yatamána 


Publikuar në:  Fazat e Sádhaná Psiko-Shpirtërore


Shrii Shrii Anandamurtiji


Commenti

Post più popolari