Dervish Hatixheja
Kush ishte Dervish Hatixheja, gruaja që humbi familjen dhe i shpëtoi sëmundjes së kolerës
Sipas historikut të familjes, Hatixheja ishte një nuse e re tiranase me
dy fëmijë dhe si shumë gra të tjera të kohës, jetonte nën prangat e një
realiteti të ashpër, ku shoqëria e quante normë abuzimin e grave.
Gratë nuk kishin të drejtë, si qenie humane, të mendonin, të ndjenin, të
shpreheshin apo të vepronin në drejtim të pasioneve dhe ëndrrave të tyre
në jetë. Çdo zgjedhje bëhej për to nga burrat, familja apo shoqëria që
komandoheshin nga burrat. Dhe për më tepër, burrat kishin të drejtë të
ishin të pasjellshëm dhe jo vlerësues ndaj grave. Por Dervish Hatixheja
do ta ndryshonte këtë shoqëri dhe mentalitet të kohës me veprën e saj
humanitare ndaj njerëzimit. Fati do donte që shumë nga ata njerëz që nuk
e respektonin gruan, do kishin nevojë pikërisht për ndihmën e një gruaje.
Që kjo grua do ishte shpëtimtare e jetës së tyre apo do t’i qetësonte
shpirtërisht gjatë vdekjes së tyre. Hatixheja do t’i bënte njerëzit ta
shihnin gruan me një sy tjetër, madje dhe ta përgëzonin për ato që ajo
ishte e aftë të bënte dhe për më tej, edhe ta bënin atë shenjtoren e
tyre dhe të faleshin në gjunjë përpara saj. Hatixheja jetoi gjatë viteve
1700, kur Ballkanin e pllakosi epidemia e kolerës. Njerëzit vdisnin
rrugëve të pandihmuar dhe mbeteshin dhe të pavarrosur, gjë që kanoste
akoma më shumë rrezik për përhapjen e sëmundjes në pjesën e shëndoshë të popullatës.
Hatixheja e humbi familjen e saj nga kolera. Por ajo diti që ta kthente
këtë dhimbje në diçka pozitive. Ajo nuk u largua për t’i shpëtuar
kolerës, përkundrazi, shpirti i saj e kërkonte që dhimbja e saj
shpirtërore të bëhej forca për të ndihmuar të sëmurët me kolerë. Ajo, me
shumë kurajë, me gjithë rrezikun që mund të sëmurej vetë nga kolera dhe
duke hedhur tej tabutë e shoqërisë, mori iniciativa dhe u vu në shërbim
të njerëzve. Ajo i ktheu pronat e saj në varrezë dhe shtëpinë e saj në
spital për t’u kujdesur për të sëmurët me kolerë. Të paktën, njerëzit me
kolerë të kishin një vend ku të kërkonin ndihmë.
Aktiviteti humanitar i Hatixhesë u dha kurajë shumë grave të tjera,
për të tejkaluar limitet e
kohës dhe për t’u bashkuar me Hatixhenë për t’u shërbyer njerëzve. Ato,
si Hatixheja kishin dëshirë t’u vinin në ndihmë njerëzve. Kështu,
Hatixheja nuk ishte më vetëm. Ajo udhëhiqte një grup pune. Në këtë
mënyrë, përveç se u vu në shërbim të njerëzimit, në një nga kohët më të
vështira, krijoi gjithashtu një lëvizje pavarësie për gratë. Edhe më
interesant është fakti që ajo vetë, edhe pse në kontakt të vazhdueshëm
me të sëmurët me kolerë, nuk po prekej vetë. Pra, njerëzit shikonin që
një mrekulli po ndodhte me të. Hatixheja gjithashtu filloi të shëronte
të sëmuret me kolerë, çka u konsiderua një mrekulli tjetër e saj.
Dervish Hatixheja ishte dhe një mjeke popullore e aftë për të shëruar
disa lloj sëmundjesh, sidomos të plagëve të rënda. Ajo jo vetëm
përgatiste vetë ilaçe me bimë medicinale, por i ofronte ato falas. Nga
këto ngjarje, Hatixheja tashmë nuk shihej vetëm si një njeri i
zakonshëm, duke u kthyer kështu në fenomen. Ajo jetoi në një realitet
spiritual, për këtë arsye nuk u sëmur dhe diti ta përdorë ndërgjegjen e
saj për të shëruar njerëzit. Hatixheja fitoi titullin “Dervish” për
impaktin e aktivitetit të saj humanitar në ndihmë të të sëmurëve me
kolerë, për dedikimin e saj ndaj njerëzve, e për të gjitha veçoritë
mbinjerëzore që e karakterizuan. Titulli “Dervish” është një titull
shenjtor, që u jepet shumë rrallë grave.
(panorama.al)
Commenti