Poezia persiane në vështrimin e orientalistëve
Rene Grousset, orientalist francez, shkruan: “Duhet të themi se Irani ka kontribuar shumë për kulturën e njerëzimit. Për arsye se në bazë të dëshmisë së historisë, Irani me kulturën e tij të fuqishme dhe zakonet e bukura islame përgjatë shekujve ka krijuar një mjet të mirëkuptimit, marrëveshjeve dhe harmonisë në mes popujve të ndryshme të botës në mënyrë që ata të gjejnë një filozofi, mendim dhe ideal të unifikuar”. Poezia dhe letërsia persiane në realitet konsiderohet kartë identifikuese e popullit iranian sepse qysh para shumë shekujsh, Irani është njohur si territori i aromës, luleve, bukurisë dhe tregimeve shumë të bukura në botë. Aktualisht në nivel botëror është caktuar edhe “dita e poezisë persiane” e cila manifestohet me 18 shtator nëpërmjet programeve të ndryshme kulturore artistike.
Abel Bounar, poet francez ka thënë: “Mund të ndodh që një person të ketë shëtitur të gjitha vendet e kontinentit të Azisë dhe të jetë njohur shumë me popujt e këtyre vendeve, të jetë dehur me filozofinë hindase, të jetë magjepsur me madhërinë e civilizimit dhe shtetit kinez, të jetë habitur me inteligjencën e mendjes së popullit të Japonisë, mirëpo në fund një person i tillë do të magjepset me artin e Iranit sepse ky popull i cili ka shkëlqyer në të gjitha artët deri në nivelin e përkryerjes, në një prej këtyre arteve është më tepër i dashuruar dhe ky art është poezia”. Njohja e botës me poezinë dhe letërsinë persiane në lindje taton me periudhën e sundimit të dinastisë gaznevite, ndërsa në perëndim daton që nga koha e luftërave të kryqëzatave. Sipas mendimit të orientalistëve, legjendat, poezitë dhe tregimet iraniane nga bota islame nëpërmjet Spanjës kanë hyrë në letërsinë evropiane të shekujve të mesjetës dhe kështu janë bërë pjesë e saj. Që nga ajo kohë në perëndim u zgjua një interesim dhe pasion i madh ndaj vendeve të Lindjes dhe territoreve të tyre enigmatike dhe veçanërisht ndaj popujve myslimanë, gjë që është pasqyruar në shumë tregime dhe romane të shekujve të mesjetës në Evropë. Rene Grousset, orientalist francez, rreth Iranit shkruan: “Nëse do të kisha leje që si një i huaj të shprehja mendimin tim, duhet të them se Irani ka dhënë kontribut shumë të madh për njerëzimi, prandaj njerëzimi i ka borxh të madh kulturës persiane. Irani me kulturën e tij të madhe dhe karakteristikat e saj islame për shekuj me radhë ka krijuar mjete për mirëkuptim, marrëveshje dhe harmoni në mes popujve të botës. Kjo ka qenë deri në atë masë sa që në këtë mënyrë popujt e botës kanë gjetur filozofin, të menduarin dhe idealet e unifikuara të njerëzimit. Si rezultat i mendimeve dhe poezive të Iranit, shumë raca të ndryshme të popujve të botës kanë gjetur besim dhe bindje të përbashkëta. Poetët iranianë kanë dhënë kontribut të çmuar për të gjithë botën. Ndjenjat të cilat i shfaqin poetët iranianë ndikojnë në të njëjtën mënyrë mbi një francez, mbi një hindas, mbi një turk dhe mbi një gjeorgjian. Duhet të themi edhe pse gnostikët iranianë janë plotësisht myslimanë, por në po at masë që e lëkundin zemrën një të krishteri, aq shumë e lëkundin edhe zemrën e një brahmanisti; prandaj për këtë arsye ata i përkasin të gjithë njerëzimit”.
Yrzhy Bchka, mendimtar nga Çekia, e lavdëron kështu poetin e njohur iranian Hafez Shirazi: “Në të gjithë periudhën njëmijë vjeçare të poezisë persiane, për Hafiz Shirazi është caktuar një pozitë e veçantë dhe e dalluar. Hafez Shirazi absolutisht është poeti më i madh në këtë fushë në të gjithë letërsitë e botës përgjatë gjithë historisë”. Poeti i madh gjerman Gote i cili ishte i magjepsur shumë nga poezitë e Hafez Shirazi, në veprën e tij të pavdekshme “Divani Lindor” shkruan: “O Hafez! Fjalët e tua janë si një pavdekshmëri e madhe sepse ato nuk kanë as fillim as mbarim. Fjalët e tuja janë po sikur kuba e qiellit që nuk janë të varura nga asgjë. Nuk mund të gjendet ndonjë dallim mes pjesës fillestare, pjesës së mesme dhe pjesës përfundimtare të lirikave të tij; sepse të gjitha janë në një nivel të bukur dhe të përkryer... Nëse botës do t’i vije fundi, kam vetëm një dëshirë që vetëm me ty të jem o Hafezi qiellor, vetëm me ty dhe vetëm përkrah teje të qëndrojë. Po si një vëlla të ndaj dhimbjen me ty dhe të solidarizohem në pikëllimin tënd. Sëbashku me ty, ngrehi gotën me verë dhe dashurohem po sikur tij; sepse kjo është krenaria ime dhe burim i jetës time. O Hafiz, dëshiroi të imitojë lirikat tuaja në poezinë time. Mundohem të bëjë rimën ashtu sikur ti dhe të zbukurojë lirikat e mia me teknikat e tuaja poetike. Sëpari mendohem për kuptimin, më pas i veshi atij rrobat e thurura me fjalë”. Përkthimi i poezive të Hafez Shirazi në gjuhën gjermane ka ngjallur pasione të mëdha në shumë mendimtarë gjermanë të cilët janë pasionuar pas Lindjes. Mendimtari i madh gjerman Niçe poezitë e Hafez Shirazi i vlerëson si një pallat të madhërishëm. Poezia e Hafiz Shirazi aq shumë ka magjepsur atë sa që ai këtë poet iranian e quan si një fenomen i jashtëzakonshëm, një fenomen të cilin është pothuajse e pamundshme të krijohet përsëri; aq shumë e pamundshëm sikur të thuhet “miu ka lind një bjeshkë! Niçe rreth poezisë së Hafez Shirazi ka thur edhe këto vargje:
Poezia e Hafezit është më e madhërishme se çfarëdo pallati
Atë vend për të pirë verë të cilin e ndërtove tij për vete
Është më i ndezur sesa etja e gjithë botës
Pija e verërave të kafenesë tënde
Ka bërë që shpendi i quajtur Feniks
Të bëhet mysafir i shtëpisë tënde
Miu i cili ka lind bjeshkë
Ti, vetëm vet ke qenë.
Ti je të gjithë dhe askush
Ti je gota me verë dhe kafeneja e verës
Ti je Feniksi, miu dhe bjeshka.
Ti je i pavdekshmi që futesh në vetën tënde
Si dhe në mënyrë të pavdekshme nga vetja hap krahët drejt lartësisë
Ti je niveli më i lartë i përuljes
Dhe thellësia më e thellë e ngritjes
Ti je dehja e thellë e të dehurve
Më për çfarë!?
Për çfarë kërkon akoma verë!?
(Niçe)
Mendimtari i njohur francez Chales-Henri de Fouchecour thuajse ka jetuar me poezinë e Hafiz Shirazi, prandaj ai beson: “Poezia e Hafez Shirazi është për të gjitha çastet e jetës. Gjuha dashuruese e Hafez Shirazi është formuar brenda kornizës së fesë islame, kornizë kjo në të cilën është shumë e fortë tema e Njëshmërisë. Ai të cilit i dedikohet dashuria është vetëm një qenie, ndërsa dashuria në poezinë e tij është një dashuri e përkryer, e vetme, xheloze dhe e huaj me të tjerët. Dashuria në poezinë e Hafizit është një temë e marrë nga një ambient gnostik”. Ajo që është bërë shkak për magjepsjen e mendimtarëve të mëdhenj botëror nga Lindje deri në Perëndim rreth letërsisë persiane janë pikërisht idetë dhe të menduarit e lartë të shfaqura në poezinë e poetëve të mëdhenj të letërsisë persiane. Dilemat dhe pyetjet filozofike të Omar Khajamit, dashuria gnostike e Mevlanas, racionalizmi i Ferdosit si dhe urtësia e Saadi Shirazi kanë pasionuar shumë mendimtarë nga anë e mbanë bota. Në një kohë përkthimi i Rrubaijave të Omar Khajamit nga Feets Xherald pas Biblës dhe dramave të Shekspirit, ka qenë libri më i shitur në botë. Ky libër i kaloi kufijtë dhe nivelin e një poezie, ai arriti të bëhet një moto, një simbol i një lëvizje të re intelektuale. Gjatë shekullit të 20-t një kopje e përkthimit të Rubaijave të Omar Khajamit mund të gjendej në shumicën e bibliotekave private dhe publike në Angli dhe Amerikë. Kështu Omar Khajami hyri në shtëpitë e evropianëve dhe u bë miku më i ngushtë i tyre deri në atë masë sa që ushtarët anglezë e mbanin këtë libër me vete gjatë dy luftërave botërore. Riçard Luga Lipin, poet anglez, duke lexuar Rubaijat e Omar Khajamit, tha: “Ndoshta mund të thuhet se Rubaijat e Omar Khajamit në origjinën e tyre nuk janë një lule, por fletë të trëndafilit të kuq që nga të gjitha ato është krijuar një lule; ndërsa gjithashtu mund të thuhet se përkthimi i Feets Xherard mund të konsiderohet lulëzimi i kësaj lule”. Përkthimi i poezive të Mevlanas gjithashtu mund ë konsiderohet një revolucion në letërsinë botërore.
Përkthimi i Divan Shams për shumë kohë të gjatë është publikuar dhe shitur në tirazhin më të madh të mundshëm. Bota dëgjoi mesazhin e Mevlanas dhe është dehur me pëshpëritjet dashuruese të tij. Sipas Herman Ethe, “semaja është një sekret i lëvizjes rrotulluese të trupave qiellorë dhe buron nga shpirti i dehur nga dashuria hyjnore. Mevlana pasi ndizej nga të menduarit rreth kësaj lëvizje të rimuar të këtij kërcimi dhe pasi mbushej me dashuri të vrullshme për të njohur sekretet e unitetit hyjnor, krijonte ato lule të bukura me lirikat gnostike të tij të cilat në fund formuan veprën e madhe “Divan-e Shams”. Kjo vepër e madhe është një përmbledhje, poezitë e të cilës nga aspekti kuptimor dhe gjuha e bukur me të cilën janë thënë si dhe me harmoninë rimore të vargjeve; konsiderohet një thesar shumë i çmuar i letërsisë botërore. Vepra e njohur “Shahname” padyshim se konsiderohet një prej veprave më madhështore të intelektit njerëzor e cila krahasohet në mënyrë të barabartë me epet e letërsisë botërore si atë Homerit dhe të Dantes si dhe nga aspekti i forcës së të shprehurit, teknikave, pastërtisë, qartësisë, butësisë, stilit dhe gjuhës është e një peshe me modelet më të dalluara të letërsisë së vjetër greke. Orientalistët e sidomos ata rusë, Shahname-n e Ferdosit e vlerësojnë si një xhevahir shumë të rrallë të letërsisë botërore. Evgeny Berthels, iranolog dhe studiues i madh rus i veprës Shaname, beson se: “Deri atëherë kur do të ekzistojë koncepti iranian në botë, do të jetë i gjallë dhe i pavdekshëm emri krenar i poetit të madh iranian Ferdosi i cili të gjithë dashurinë e zemrës së tij ia ka kushtuar atdheut të tij. Ferdosi e ka shkrua veprën e madhe Shahname me gjakun e zemrës dhe me një çmim kaq të shtrenjtë bleu dashurinë dhe respektin e kombit iranian, ndërsa letërsisë botërore i shtoi një prej thesareve më të çmuara”. Jan Rypka, mendimtar dhe orientalist çek, Ferdosin e ka quajtur “Rrostam” të letërsisë persiane i cili ka bërë përpjekje shumë të mëdha dha ka dhënë kontribut shumë të madh për letërsinë persiane. Ai mendon: “Ferdosi është i dalluar me veprën e tij në të gjithë letërsinë persiane. Nëpërmjet veprave studimore të panumërta që janë bërë nga studiues orientalistë dhe nëpërmjet përkthimit të veprës së tij; emri i tij është i njohur për kohë shumë të gjatë në Evropë dhe në përgjithësi në të gjitha vendet përtej kufijve të kulturës iraniane. Tregimi i veprës Shahname është shembull i një epi njerëzor në të cilin paraqitet historia e Iranit.
Vepra Shahname është një dokument historik me vlerë të madhe e cila ka ruajtur dokumentet më të vjetra historike me besnikërinë më të madhe. Pavarësisht të gjithë imagjinimeve dhe teknikave figurative në të cilën janë përdorur në këtë vepër, ajo zbulon gjithashtu edhe disa të vërteta historike të cilat janë të rëndësishme jo vetëm për historinë, por edhe për zanafillën e historisë si dhe ofron një analizë të gjerë rreth shoqërive njerëzore primitive, gjë që është e një rëndësie të madhe. Vepra Shahname gjithashtu paraqet edhe një pasqyrë rreth gjendjes shoqërore si dhe rreth mënyrës së të jetuarit gjatë periudhës së dinastisë sasanidë duke sqaruar një pjesë të mirë të burimeve historike rreth kësaj periudhe më mirë se të gjitha burimet e tjera në gjuhën arabe”. Profesor Henri Mase, orientalist francez, gjithashtu beson: “Nga të gjithë epet iraniane, vepra Shahname ka një dobi të veçantë. Për arsye se ajo bën fjalë për konfliktet e vjetra të një populli i cili mbron pavarësinë dhe sovranitetin e tij. Shahname është një vepër epike e cila paraqet krenaritë dhe vuajtjet e një kombi, ndërsa vetëm kjo do të mjaftojë që kjo vepër të radhitet në mesin e veprave më të larta letrare. Por Shahname ka edhe vlera tjera. Ajo si e tillë i lidh mes vete dy periudha shumë të ndryshme me njëra tjetrën. Nga njëra qëndron periudha antike e Iranit në të cilën ka zënë fill një prej besimeve më të njohura të botës; ndërsa nga ana tjetër qëndron Irani i shekullit 11, periudhë kjo në të cilën ka lindur Irani i ri. Ky ep kombëtar që përfshinë brenda vetës periudhën zartushtiane dhe periudhën islame, ka pasqyruar një prej aspekteve më me ndikim në zhvillimin aziatik”.
Social sharing
Commenti